5 Qershor 2019/ THIRRJE PUBLIKE/ Shoqëria Civile dhe Qytetarët kërkojnë Dialog

Tiranë, 5 Qershor, 2019. “Përballja e Ofertave Politike – POP 2019” e organizuar nga 11 organizata të shoqërisë civile të mbështetura nga Olof Palme International Centre dhe Ambasada e Suedisë në Shqipëri, vjen gjatë proceseve elektorale për të katërtin herë rradhazi, si një mundësi për qytetarët shqiptarë që nëpërmjet debatit publik të informohen mbi platformat elektorale të partive dhe kandidatëve për kryetarë bashkie, duke krijuar të gjithë hapësirat e nevojshme që prioritetet e qytetarëve të bëhen pjesë e alternativës qeverisëse.

Ne besojmë se, fuqizimi i zërit të qytetarëve ndikon në rritjen e përfshirjes së tyre në proceset vendimarrëse lokale. Si rrjedhojë, nxit transparencën dhe llogaridhënien, duke ndikuar drejpërdrejtë në forcimin e demokracisë shqiptare.  Forumet publike qe organizohen në kuadër të POP 2019 kanë për qëllim të nxisin kulturën demokratike dhe synojnë të sigurojnë një hapësirë të hapur, të lirë dhe të barabartë për përfaqësuesit e partive politike për të paraqitur platformat e tyre dhe për të diskutuar me qytetarët mbi prioritetet, nevojat dhe shqetësimet për komunitetin.

Nga Janari 2019 deri më sot, ne kemi përcaktuar prioritet e qytetarëve të bashkive Tiranë, Kamëz, Shkodër, Pukë, Kukës, Durrës, Fier, Vlorë e Pogradec. Këto prioritete, të cilat janë publikuar edhe në website tonë http://popalbania.info/, janë formuluar në formën e Kontratës Sociale të personalizuara për çdo bashki, bazuar në kërkesat e qytetarëve në forumet e organizuara me ta. Aktivitetet e POP 2019 mund të kenë qenë ndër të vetmet aktivitete ku qytetarët gjetën një mjedis të lirë nga politika. Ata patën mundësi të shprehen në lidhje me nevojat e pa plotësuara të tyre dhe mangësi të tjera në nivel vendor.

Përsa mësipër, duke u nisur nga situata aktuale politike ku forcat kryesore shprehen me qendrime të kundërta, të cilat krijojnë pikepyetje të shumta për garantimin e përfaqësimit të interesit të qytetareve, rrjeti i organizatave të cilat kanë punuar për POP 2019 i bën thirrje të gjitha forcave politike që të gjejne sa më parë rrugën e dialogut dhe të komunikimit duke vënë në plan të parë interesat e qytetarëve dhe adresimin e problemeve të tyre të cilat kërkojnë vëmendje të shtuar.

Ne besojmë se vetem gjuha e dialogut dhe mirekuptimit mund të sigurojë kushtet e duhura që qytetarët të zgjedhin në mënyrë të lirë dhe të pavarur alternativën e tyre qeverisëse.

Fuqizimi i zërit qytetar dhe rritja e përfshirjes në vendimmarrjen lokale, ndikon edhe në rrugën e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, e cila sjell krijimin e mundësive më të mira për qytetarët shqiptarë.

You may also like